…Çdo poezi në këtë libër i përngjan një shenje që të duket e njohur dhe ty si lexues. Futesh brenda një labirinti ndjenjash që, ndonëse lindin nga përvoja personale e autores, gjejnë rezonancë në shpirtin e atij që lexon. Gjithçka i shëmbëllen një rrugëtimi ku është e mundur të gjesh ndalesën e dashurisë, të pritjes, të mallit, lidhjen e nënës me birin e saj, pasionin për jetën dhe meditimin për lumturinë…

 

Titulli: Zëri i shpirtit tim

Autore: Enkeleda Sovjani

Redaktor letrar: Prof.as.dr. Eris Rusi

 

Botimi i parë: 2024

ISBN: 978-9928-283-28-1

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, gusht 2024

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Sovjani, Enkeleda

Zëri i shpirtit tim : poezi / Enkeleda

Sovjani ; red. Eris Rusi.

– Tiranë : Ada, 2024.

96 f. ; 20 cm.

ISBN: 978-9928-823-28-1

1.Letërsia shqipe       2.Poezia

821.18 -1

 

 

Dy fjalë lexuesit

 

“Letërsia është dëshmia se jeta nuk mjafton…”, – shprehej shkrimtari portugez Fernando Pessoa. Një botë e tërë e kapur në koordinatat e jetës që nëse nuk kërkon shtegdalje, kufizohet në rutinën e ditës që mpaket e kthehet në muzg. Deri sa vjen më në fund errësira. Sa e thjeshtë është të kesh një autostradë të madhe përpara, të mos ndjesh asgjë, të shohësh vetëm shkretëtirën pa fund rrotull teje e të vazhdosh të ecësh, pa qenë i vetëdijshëm që brenda vetes ke ca ëndrra që presin të marrin formë, që dikur edhe ti ke pasur dëshira për të prekur me dorë qiellin, për të larguar me gishta retë, për ta lënë dritën të derdhej si ujëvarë mbi ty. E në këtë mes, jeta e gjithkujt i ngjason një ëndrre, që mund të ketë dhomëzat e saj të lumturisë, nëse edhe shpirti ushqehet me të bukurën, me atë që nuk matet dot me sy, por përjetohet si emocion. Mjafton të mbash vesh, të dëgjosh si kumbon i kristaltë, brenda vetes, zëri i shpirtin tënd, e ta quash të fundme lumturinë, duke njohur shtirjen e paskajme të saj.

Me këtë përfytyrim, ju ftoj të merrni në duar përmbledhjen poetike “Zëri i shpirtit tim” nga Enkelejda Sovjani, që i prezantohet lexuesit me librin e saj të parë. Çdo poezi në këtë libër i përngjan një shenje që të duket e njohur dhe ty si lexues. Futesh brenda një labirinti ndjenjash që, ndonëse lindin nga përvoja personale e autores, gjejnë rezonancë në shpirtin e atij që lexon. Gjithçka i shëmbëllen një rrugëtimi ku është e mundur të gjesh ndalesën e dashurisë, të pritjes, të mallit, lidhjen e nënës me birin e saj, pasionin për jetën dhe meditimin për lumturinë. Nga intimiteti i krijueses, përtej reagimit personal të saj, lexuesi mund të zbulojë si të tijat përfytyrimet që dalin në sipërfaqe gjatë leximit:

 

RRUGËTIM

 

Jam njëzet vjeç.

E rrethuar nga ëndrrat

ec në rrugën e madhe të jetës,

si një flutur krahëlehtë,

duke pritur prej tyre realitetin.

 

Jam pesëdhjetë vjeç.

Në kokë mbaj flokë të argjendtë,

në prehër, mbaj fëmijën e fëmijës tim

që ashtu si edhe unë dikur,

luan me fluturat që i vijnë përreth.

 

Jam tetëdhjetë vjeç.

Kërrusur mbi bastun që si një penel,

shndërron fytyrat në lule të vyshkura

dhe brenda tyre jetën

që tashmë, fillon të shuhet ngadalë…

 

E ndjeni dhe ju ritmin e kësaj poezie? Kohën që rrjedh, pambarimisht përpara, si një lumë që merr me vete fytyra, njerëz, kujtime, e të mjafton një hop që të kërcesh nga uji, të dalësh në breg e të shohësh si rrjedha çon përpara edhe atë që përngjan me trajtat e tua dikur. Të duket sikur gjatë leximit mund të kapësh të gjitha fazat e ekzistencës, të gjesh jo veten, por botën, që zgjat kokën dhe sheh refleksin e saj në faqen e poezisë. Enkeleda nuk ndalet këtu. Me një gjuhë të gjallë, të ngarkuar me mendim, ajo kalon nga kjo panoramë prej së larti, tek intimiteti, koha që kalon mbi njerëzit tanë të zemrës. E tillë është poezia “Ku shkon”:

 

KU SHKON?

 

Ku shkon jetë?

Pas ikjes tënde do të zgjohem,

e askush s’do të verë dorën mbi djep,

të më përkundë.

 

Ku shkon gëzim?

Lotët shkëputen breshër nga sytë e mi,

ata janë të rëndë,

toka s’i mban dot, ka frikë.

 

Ku shkon nënë?

Largimi yt më prek,

sytë më thahen prej mallit,

zemra prej ankthit,

goja prej thirrjes pa përgjigje…

 

Ku shkon?

 

Në këto vargje përfytyrimi poetik është i fuqishëm, ikja, misteri që fshihet në dhomën ngjitur, përtej portës së madhe nga nuk është kthyer askush, të bëjnë të kuptosh se letërsia është edhe një ftesë për të parë përtej dukjes, për të kuptuar të vërtetat e thella të jetës, një detyrë që poezia, në formën e saj më të lartë, ka kërkuar gjithmonë ta përmbushë.

Një tjetër element që e bën të çmuar leximin e këtij libri, është dhe përvoja individuale e autores. Kemi lidhjen e saj me njerëzit e familjes, me qytetin e lindjes, me kohën që po jetojmë, me dramat dhe problemet ku ngjan e ngërthyer ekzistenca e njeriut.  Enkeleda Sovjani shkruan me ndjesinë që çdo varg të përshkohet nga përvoja, gëzimet dhe dhimbjet e saj. Ndaj dhe titulli i librit, “Zëri i shpirtit tim”, e ka këtë funksion të drejtpërdrejtë: çdo varg që poetja ka zgjedhur të ndajë me lexuesit, buron nga bota e brendshme, e pasur dhe komplekse, ku shpirti kumbon me fjalë. Ajo ka gjetur fjalët e duhura për të shprehur emocionet dhe për t’i dhënë lexuesit përjetimin artistik. Siç shprehej Persi Shelli: “Poeti është një njeri i cili, duke parë, ndien; dhe duke ndier, hyn në shpirtin e botës.” Enkeleda Sovjani përmes poezive të saj, na udhëheq përtej të dukshmes, drejt kufijve të një bote ku hyhet me kodin që vetëm arti mund të japë, për të përjetuar më pas të bukurën dhe intimen që i gjen në poezitë e këtij libri të ri.

 

Prof.as.dr. Eris Rusi