Titulli: Shpirti trazuar
Autor: Urim Mezini
Redaktor&Korrektor letrar: Kujtim Xhebexhi
Botimi parë- 2024
Shtëpia botuese – ADA
Adresa – Rr. Mihal Grameno, P. 32, Ap. 7
Celular – 0682219016
Tiranë – nëntor 2024
© Të gjitha të drejtat janë të autorit
Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Mezini, Urim
Shpirti trazuar: Poezi/ Urim Mezini; red.
Kujtim Xhebexhiu
– Tiranë : Ada, 2024.
100 f. ; 20 cm.
ISBN: 978-9928-823-58-8
1.Letërsia shqipe2.Poezi
821.18 -1
Parathënie
Ky është vëllimi i dytë i poetit Urim Mezini, i cili u bë i njohur për lexuesit nëpërmjet vëllimit të parë poetik
“Loton malli”, të cilin e hodhi në qarkullim jo shumë kohë më parë, tani vjen me vëllimin poetik “Shpirti Trazuar”.
Poeti më në fund arriti t’ua “hapë kafazin pëllumbave” të tij, të cilët i kishte përgatitur me kohë për fluturim.
Emri i këtij krijuesi i kapërceu kufijtë e lexuesve të Fb. apo të portaleve ku postohen poezi të poetëve të ndryshëm, nga ku Urimi merrte pëlqime e komente pa fund, duke u botuar nëpër gazeta e revista të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare si; në gazetën Destinacion, TV.Zëri i Atdheut, gazetën Albania press, gazeta Nacional, Revista Mirdita, Revista prestigjoze Le Muse, TV Arte,
Sot, ai nuk është një emër i ri, i panjohur.
Me poezitë e tij pikante, tashmë ai ka arritur të tërheqë rreth vetes me qindra lexues të rinj. Këtë e tregojnë edhe kërkesat e shumta, që ka ky poet, për të hedhur në treg kopje të tjera nga vëllimi i tij i parë.
Besoj, se me këtë vëllim, poeti do t’ua plotësojë kërkesat lexuesve.
Ashtu si në vëllimin e parë, edhe në këtë vëllim, poeti, pjesën më të madhe të poezive ia kushton dashurisë, kësaj ndjenje hyjnore, të cilin ai e quan si një forcë që triumfon mbi gjithçka. Këtë motiv autori e sjellë herë si përvojë vetjake, herë si rrëfim poetik.
Është meritë e Mezinit që ndërthurë vetjaken me shoqëroren.
Poeti në shumë poezi shpalos humanizmin e tij,ashtu siç është edhe vetë ai në jetë.
Shpirti i tij i madh di vetëm të dhurojë dashuri për këdo. Ai përcjellë idenë që njerëzit duhet të dhurojnë dashuri të sinqertë për familjen, shokët, miqtë, për të varfërit, për vendlindjen, të cilën e ka pikë të dobët. Kemi të bëjmë, pra, me një poet me shpirt të madh.
Ja si shkruan ai, në njërën nga poezitë:
Ka shumë njerëz në vështirësi
Jetimë, nevojtarë e hallexhi
Njerëz të sëmurë e pa shtëpi
Ndaj për ta t’bëjmë sa t’kemi mundësi
Poezia e Urim Mezinit shquhet për fjalorin e pasur poetik, për thjeshtësinë e shprehjes dhe të të kuptuarit, duke ua lehtësuar punën lexuesve. Arti poetik i këtij krijuesi ushqehet nga realiteti, nga përvoja vetjake dhe disa herë edhe nga imagjinata.
Poezitë e këtij poeti i dalin nga shpirti, karakterizohen nga dhimbja e madhe që po shkakton plaga e rëndë e kurbetit dhe boshatisja e trojeve tona, që ia kanë trazuar së tepërmi shpirtin poetit, të cilës i ka kushtuar një pjesë të krijimtarisë së tij.
Ja si shkruan Urimi te poezia“ Ndarë për së gjalli”
Ky hall, vërtetë po na rëndon e po na t’kurr
Ka ditënet që na përcëllon shumë malli
T’ikën fëmia, ende pa u rritur, e kthehet burrë
Pa i parë njëherë, nënë e babë për së gjalli.
Pra, poeti Urim Mezini trajton motive (tema) të tilla me karakter të përgjithshëm shoqëror, të cilat janë plagë e shoqërisë së sotme, pjesë e së cilës është dhe vetë poeti. Ai nuk hesht ndaj negatives, e fshikullon atë, duke “u bërë tifoz” me pozitiven, me progresin. Ka raste kur poezia e tij bëhet revoltuese, për probleme të tilla shoqërore.
Ky poet vlerëson shumë përmbajtjen e poezisë, por jo duke nënvleftësuar formën, e cila është e lidhur pazgjithmërisht me të parën. Ai kërkon të komunikojë lirshëm me lexuesin, të përcjellë mesazhe të qarta tek ai dhe, kësaj, ia ka arritur më së miri.
Stili i tij është i thjeshtë, që i afrohet atij bisedimor. Kjo e bën këtë stil origjinal, interesant dhe të pëlqyer nga lexuesit.
Lloji i strofës, e parapëlqyer më tepër, është katrena, me rimë të alternuar.
Nuk do të zgjatem më tej, për t’ua lënë lexuesve të japin vetë vlerësimet për poezitë e përmbledhura në këtë vëllim.
I urojmë lexuesit lexim të këndshëm, ndërsa premtimi i poetit është se vëllime të tjera do ta pasojnë këtë vëllim të dytë.
Kujtim Xhebexhiu
Prezë-Tiranë