MUSA VYSHKA

 

MOS E KTHE KOKËN PAS

(Mikut tim Fatos Arapi)

 

Mos e kthe kokën pas edhe në qofsh i fundit!

Do të të vijë turp nga gjurmët që mbolle pa lavdi.

Mos i jep dorën kurrë dinakut që të mundi!

Mos qaj, nëse ke dhembje! S’të mëshiron njeri.

 

Mos e kthe kokën pas! Asgjë s’ke lënë pa parë!

Ato, që dot s;i bëre, janë tretur përgjithnjë.

Një dashuri të shkelur a një premtim të vrarë

Do t’i kesh pas si hije e s’i largon dot më.

 

S’do ta mësosh kurrë tradhëtinë që të mundi!

Nga mijëra pikëpyetje qielli me zjarr u mbush.

Edhe kur ta kuptosh, që je përherë i fundit

Duhet ta dish përjetë që pas të ndjek dikush.

 

ANTIHIMN

Dikush e shet më lirë bezen e kuqe.

Atje vrapo e bli nja dhjetë flamuj!

Në vizaton në to shqiponjë o qyqe,

Ti e di vete! Mos i trego askujt!

 

S’ke punë me data e lloqe historie!

Letërnjoftimin hidhe në hale!

Vrapo në rrugë të fshehta pabesie,

nga vdekja e nderit s’vdiq askush mbi dhe!

 

Vrapo e fshihu e mos dil në ballë!

Më mirë gjarpër se shqiponjë kokëtrashë!

Kjo kohë nuk ka kohë për përralla,

atdhe, liri, lavdi… më the të thashë!

 

Më mirë gjarpër a qyqe se shqiponjë!

Ti e di mirë e mos ia thuaj askujt.

Gjersa ne s’dimë se ç’ngjyrë ka horizonti

Ti bridh e mbaj në xhep njëqin flamuj.