…Mendoj që Fitorja, më në fund, duhet ta ndjejë veten të lumtur që arriti të përmbush ëndrrën e saj, me botimin e këtij libri që është dhe një mesazh i madh shpirtëror për raportet prindër-fëmijë, marrëdhënie të shenjta që lum kush di t’i çmojë si Fitorja…

 

Autore: Fitore Kala-Xhurxhi

Redaktor: Basir Bushkashi

Arti Kompjuterik: Ermir Lleshi

Përgatiti për botim: Roland Lushi

 

Formati : 14x20cm

 

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, Nëntor 2024

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Kala Xhurxhi, Fitore

Në dritë bardhësie… : kujtime dhe mbresa / Fitore Kala Xhurxhi ; red. Basir Bushkashi. – Tiranë : Ada, 2024.

80 f. : me fotogr. ; 20 cm.

ISBN: 978-9928-823-53-3

1.Letërsia shqipe 2.Kujtime

821.18 -94

 

Basir Bushkashi

 

Një libër për sakrificat dhe dinjitetin njerëzor…

 

Fitore Kala-Xhurxhi, autore e librit ’’NË DRITË BARDHËSIE…’’ jeton, prej njëzet vitesh, në Amerikë, në qytetin Cesher, në shtetin Kenetikat, një shtet që njihet për zbatimin e ligjit me përpikmëri. Ka kryer atje punë të ndryshme. Vitet e fundit, ka punuar si operatore për makinat dixhital të prodhimit për mjekësi dhe ushtri, deri sa doli në pension. Lidhjet e saj shpirtërore me njerëzit e vet në Peladhi e Burrel i ka mbajtur me aq ngrohtësi… Kur më solli në Burrel shënimet e saj, për t’i përmbledhur në një libër, u emocionova shumë dhe e falenderova që librin ma besoi mua që ta redaktoja. Në qendër të shpirtit dhe në qendër te librit, ishte nderimi për prindërit e saj, po dhe për të tjerë. Unë, familjen e saj të nderuar, e njoh prej shumë vitesh, sepse kisha shok të ngushtë, Naimin, vëllain e saj të madh. Ime shoqe, Flutura, ishte shoqe me Fitoren dhe punonin pranë e pranë në kooperativën ‘’Shoshaj –Lis’’. Fitorja ishte një shefe finance dinjitoze dhe ime shoqe llogaritare në Këshillin e Bashkuar, të kohës, në Zenisht.  Unë i kam njohur nga afër prindërit e saj të mrekullueshëm: Rasimin dhe Fiqirien.Sa herë jam mirëpritur, me ngrohtësi, në shtëpinë e tyre. Kujtimet i kam të shumta, por dua të veçoj njërin. Kur ishim studentë, vij në Burrel me Naimin.Kishim problem biletat për të nesërmen se ishte vetëm një autobuz për në Milot. Pastaj merrnim trenin për në Tiranë. Njerëzit ngriheshin natën, për të zënë radhën me prerë biletat. Nënë Fiqiria u ngrit natën dhe na preu biletat.  Kur unë u ktheva, nga vendlindja, në Mallunxë, më pritën në shtëpi, na dha drekë dhe na përcolli me duar në qafë e përmalluar… Po le të kthehemi te libri. Fitorja ka punuar me shumë shpirt, me shumë mall, nostalgji e dhembshuri, për të hedhur dritë shpirti, mbi jetën e prindërve të saj,aq punëtorë dhe aq dinjitozë që gëzonin respektin e një krahine të tërë, po që, mjerisht, hijet e liga i ndiqnin pas, me ligësitë e tyre, sikur i vriste zotësia dhe dinjiteti i tyre. Në libër jepen plot detaje ligësie që Fitorja i ka hedhur aty, ndaj s’dua ti përmend. Në libër jepen ato prindër shpirtmëdhenj që me aq sakrifica i rritën, mrekullisht, të pesë fëmijtë e tyre të cilët i dolën jetës për zot, me aq dinjitet… Ke dëshirë ta lexosh e rilexosh, përshkrimin e fshatit Peladhi, ku fryjnë fllade malli e dhembshurie se plot njerëz kanë ndërruar jetë, e të tjerë janë larguar, për një jetë më të mirë. Të vjen keq që të rinjtë e sotëm i kanë sytë, më tepër jashtë shtetit, se në vendin e vet që, mjerisht, nuk i shohin të realizuara ëndërrat e tyre. Ajo flet me mall për të afërmit e vet, për fiset, për kuadrot e degëve të ndryshme, duke përveçuar edhe personalitete të njohura në shkallë kombëtare për të cilët ajo ndjen krenari… Në libër përfshihen dhe poezi për babain, nënën dhe vendlindjen, të shkruara me mall të thellë shpirti që e bëjnë librin, më poetik, me kumbime shpirti… Arkitektura e librit është konceptuar kujdesshëm nga autorja, duke kaluar nga një gjendje shpirtërore, në një tjetër… Mendoj që Fitorja, më në fund, duhet ta ndjejë veten të lumtur që arriti të përmbush ëndrrën e saj, me botimin e këtij libri që është dhe një mesazh i madh shpirtëror për raportet prindër-fëmijë, marrëdhënie të shenjta që lum kush di t’i çmojë si Fitorja. Të lumtë, Fitore!

 

Burrel, Tetor 2024