…Urim Mezini është poet i ndjesive të ngrohta, që shkruan për dashurinë(por edhe për humbjen e saj), shkruan për femrën, për familjen, vendlindjen, për probleme sociale, duke krijuar poezi mbresëlënëse…

 

Titulli: Loton malli

Autor: Urim Mezini

Redaktor&Korrektor letrar: Kujtim  Xhebexhiu

 

Botimi parë- 2024

 

Shtëpia botuese – ADA

Adresa – Rr. Mihal Grameno, P. 32, Ap. 7

Celular – 0682219016

Tiranë – nëntor 2024

 

© Të gjitha të drejtat janë të autorit

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”

 

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Mezini, Urim

Lotom malli : Poezi/ Urim Mezini; red.

Kujtim  Xhebexhiu

– Tiranë : Ada, 2024.

124 f. ; 20 cm.

ISBN: 978-9928-823-57-1

1.Letërsia shqipe2.Poezi

821.18 -1

 

P A R A T H Ë N I E

 

Poeti Urim  Mezini u ngjan xhevahirëve që fshihen në thellësitë e nëntokës. Poezitë e tij janë mozaikë të paeksploruar dhe nuk janë pak, por mbi 600 të tilla, që kanë kohë që “ flenë” nëpër blloqe shënimesh, nëpër fletore apo në kompjuterin e Urimit.

Vetëm një pjesë e vogël e këtyre poezive ka mundur t’u shpëtojë “burgosjes”, duke dalë në liri, në faqet e faccebookut (fejsbukut), apo në disa portale që merren me promovimin e poezive. Kjo ka bërë që emri i tij si poet, t’mos jetë aq i njohur si shumë poetë të tjerë,  gjë që tregon thjeshtësinë e tij (siç është në jetë), dëshirën për t’mos u dukur, për t’mos luftuar për famë.

Modesti, mosbesim apo neglizhencë e autorit kjo zgjatje “gjumi”?! Pak rëndësi ka kjo, kur tashmë poezitë e tij i ”kapi amnistia” dhe do të shohin dritën e botimit, në disa vëllime poetike, duke filluar nga ky, që është i pari, të cilin poeti e ka titulluar “Loton malli”. Është një titull i brendshëm (që është marrë nga njëra prej poezive të këtij vëllimi), që shpalos edhe motivin (temën) kryesor që trajton autori: lot, mallë për familjen, vendlindjen, shoqërinë. Ky motiv, sigurisht që ndërthuret dhe me motive të tjera, po kaq interesante, të cilat poeti i trajton me kujdes e delikatesë. Malli i poetit bëhet padron i lotit, të cilin e komandon që të rrjedhë herë pas here.

 

Ja, si shkruan autori :

 

Loton malli, s’duron më, shkallmon ndjenjat e ndrydhura

Zgjohen kujtimet e përziera të fëmijërisë dhe m’çojnë

Te varret e të dashurve e te shtëpitë e mbyllura

Loton malli, lot që rrjedhin e kurrë nuk shterojnë

 

Urimi, me profesion inxhinier elektro-mekanik, e ka pasion poezinë, e cila është pjesë e jetës së tij të përditshme. Çdo gjë pasionante merr vlera dhe jeton gjatë. E tillë është pra edhe poezia që buron nga pena e këtij poeti, që shumë shpejt do të afirmohet si një profesionist, jo vetëm në sytë e lexuesve të njohur,  të cilët, edhe sot, i ka me qindra, por edhe të atyre që nuk e kanë njohur më parë poetin. Motivet e poezive të Urim Mezinit kanë si bazë realen, përjetimet jetësore, që  nxisin edhe fantazinë e këtij poeti, të cilit, malli nuk i sjellë vetëm lot, por edhe dhimbje. Në poezinë e titulluar “Dhimbje dhe lot”, poeti do të shprehet :

 

E fshihja dhimbjen, të ftohtin,  duke u dridhur e prita

U mundova ta bëj e ia arrita ta fsheh me kujdes

Përdora energjinë e shpirtit, për t’u ngritur e u ngrita

S’doja t’më shikonin të dëshpëruar e ia dola me sukses.

 

Disa herë u shtriva pa ngrënë, rashë të flija, por s’fjeta

Që të tjerët të më mëshironin, kurrë nuk doja

Qetësinë e trupit e të shpitit shpeshherë s’e gjeta

Dhimbjet, përzier me mallë, me durim duhet t’i kaloja

 

Motivi i mallit dhe dy ilustrimet me poezi, që përdora më sipër, mund të krijojnë përshtypjen që poeti Urim Mezini, poezitë e tij i ka të rrafshit personal, por nuk është kështu.

Ato kanë një shtrirje tematike më të gjerë dhe kanë përmasa më të mëdhaja, me vlera shoqërore, pra,  vizioni i këtij poeti është i thellë, është edhe për njerëzit që e rrethojnë apo edhe për ata që janë larg tij.

Te poezia “Çifti i të moshuarve”, poeti ngre problemin shoqëror të harmonisë në familje, të respektit ndaj njeri-tjetrit në çift dhe kjo gjë duhet të jetë e përhershme, në çdo kohë e moshë:

 

“Më falni-iu drejtova, -vërtetë ju përgëzoj !

A kështu keni qenë githmonë, edhe në rini?”

Zonja, menjëherë, që t’përgjigjet nuk nguroi

Tha:“Ka nja 4-5 vjet që u kujtua, more zotëri…

 

Poeti, pjesën më të madhe të poezive, të cilat i ka punuar me elegancë, ia kushton dashurisë dhe prindëve. Ai është poet i ndjesive të ngrohta, që shkruan për dashurinë(por edhe për humbjen e saj), shkruan për femrën, për familjen, vendlindjen, për probleme sociale, duke krijuar poezi mbresëlënëse. Urimi është poet me shpirtë të madh, tolerant ndaj gabimeve të të tjerëve, njeri që di të falë, por s’duron dhunën,  padrejtësitë, egon, mosrespektin ndaj prindërve,  vuajtjtjet e njerëzve

Vargu i tij fshikullon negativen, duke inkurajuar optimizmin,  pozitiven, këmbënguljen.

Poezia e vërtetë e çdo poeti, që të jetë e tillë, duhet të krijojë imazhe dhe të përcjellë mesazhe të qarta te lexuesi. Poezia e Mezinit ia ka arritur këtij qëllimi.

Fjalori i pasur poetik e bën më të lehtë për lexuesit përthithjen e mendimit të poetit, i cili shquhet edhe për një sintaksë të rregullt poetike. Në disa poezi ai pëlqen të përdorë gegërishten e pastër që i shkon për shtat disa poezive.

Ky poet parapëlqen katrenën(strofën 4-vargëshe), rima e së cilës është ajo alternative (ABAB). Urimi përdor vargun e gjatë, që ia humb ritmin e shpejtë poezisë, si për të thënë që, në jetë, nuk duhet nxituar dhe duhet të jemi të duruar, të matur e të shtruar.

Përdorimi i këtij lloj vargu tregon edhe dëshirën e poetit për t’ia transmetuar lexuesit sa më t’qartë atë ç’ka përcjellë vargu apo strofa e tij. Figurat letrare si:

metaforën, epitetin, krahasimin etj. autori i përdor me masë. Metaforën, ”mbretëreshën e figurave”, ky  poet e ndërton në mënyrë perfekte, aq sa për ta pasur zili dhe shumë poetë të afirmuar.

Gjatë leximit të poezive vura re mungesën e alegorisë dhe kjo përputhet me karakterin e poetit, i cili është i çiltër në komunikim, i drejtpërdrejtë, duke mos lënë vend për nënkuptime, pra, nuk e lodh lexuesin për të bërë hamendësime.

Nuk dua të zgjatem më shumë, për t’ua lënë lexuesve të bëjnë vetë vlerësimet për këtë vëllim të parë poetik të këtij krijuesi modest.

I urojmë autorit rrugëtim të mbarë në krijimtarinë e tij poetike dhe, së shpejti, të bëjë të mundur shoqërimin e këtij vëllimi, me të tjerë pasardhës !

 

Kujtim  Xhebexhiu-Prezë, Tiranë.