Ahmet Mehmeti është poet që shkruan me shpirt, por që e zotëron mirë edhe mjeshtërinë artistike. Vargjet e tij kanë kumbim e kuptim, por edhe figura, imazhe dhe gjetje origjinale. Është e kuptueshme që lajtmotiv i tij në poezi është tema e Çamërisë. Dramës së Çamërisë, krimit mbi të, ai i jep kujtesë dhe zë. Si Bilal Xhaferi e poetë të tjerë në zë. Prandaj, për mua, si krijues dhe si mik, poeti nga Elbasani, Ahmet Mehmeti, është Ahmet Mehmet Çami.
Agim Vinca
PËRJETIME POETIKE 4
AHMET MEHMETI
NE KUFIRIN SHQIPTARO-SHQIPTAR
Në Qafë-Botë:
Çamët ndalohen rreptësisht.
Këtej shqip…
Matanë vetëm greqisht.
Në mes
Kufiri si Krisht
Asnjë s’ guxon
Ta prekë me gisht
E u r o p a :
Sehir në bisht.
B U Z Ë Q E S H J A
Nënës martire Sanije Bollati nga Paramëthia
që racistët grekë e dogjën të gjallë para syve
të dy fëmijëve të saj por nuk e mposhtën dot.
Ata të godisnin:
“Trego!” – ulërinin
Dhe si ujq prisnin me kureshtje
Por si një shkëmb qëndroje e patundur,
Për çdo goditje përgjigjeshe me heshtje.
Përse tmerrohej? Ç’ ndiente në atë heshtje
Xhelati me fytyrë të deformuar?
Përse u zverdh si gjethe vjeshte?
Përse ju drodh kama nëpër duar?
Në heshtjen tënde ndihej oshëtima
E ditëve të mëdha që do të vinë.
Lumenjtë e shpresave gjëmojnë si bubullima
Që prapa sjell stuhinë.
Një buzëqeshje fëmijëve.
Xhelatët skërmitën dhëmbët.
Oh si i çmënde!
Dhe si bombë që shpërthen nën këmbë
I vrave me buzqeshjen tënde.
Fluturon buzqeshja jote mes flakëve…
Shëron dhimbjet e nënave,
Si fasho lidh plagët e luftëtarëve,
Rrëshket përmbi granitin e të rënëve
Dhe duke mposhtur tortura e mundime
Si nje zog i bardhë me krahë të lehtë
U fut në vjershën time.
LIQENJVE
Liqenj të Shkodrës,
Ohrit,
Prespës,
Kosturit,
Janinës,
Liqenj të Shqipërisë!
Ç’ burim ju ushqen
E bashkon:
I dhimbjes
A dashurisë?
V E T Ë M
Tani fotografia jote
Më flet për një kohë të artë
Kur si dy zogj të kësaj bote
Flatronim lart, në qiell të shtatë.
Si do ta shtyj këtë ditë
Pa sytë e tu e zërin tënd
Ku çdo minut më duket vit
E heshtja trishte po më çmënd.
Jehona e pastër e hapit tënd
Vjen si freski në shkretëtirë,
Gjithë kotësitë e pavënd
Si me magji m’i ka fshirë.
K Y S H I
Ky shi i butë që bie paprer
Më sjell në mend fjalët e tua,
Një frymë të ngrohtë po më përcjell,
Çka deshe ti, më fort e dua.
T I R O N C E S
Ti më çon në njiqind puse,
Asnji pikë ujë s’ më jep,
Me vështrime përvëluese
Po më ndez e po më djeg.
Po dhe unë s’ të le rehat,
Ujin do ta derdh prej shtomës
Edhe shtomën gjith inat
Do ta thyej para komës.
Edhe ti të përvëlohesh,
Të kuptosh si digjem unë
Dhe jo kot të pendohesh
Do të du edhe mo shumë.
S I D I T Ë N E P A R Ë
Më ndërron pamje , ngjyra, gjeste
Si stinët përqark me radhë,
Më fal të ëmblën buzëqeshje
Si ditën e parë.
F T E S Ë
Fytyra, trupi
në çdo vënd,
Sikur më deh
e po më çmënd,
Më fton të thith
nektarin tënd.
TRISHTIM
Në rrugën tonë dimërore
Të zhveshur e të mbetur trok
Trishtohen rrapat lakuriq
Kur shohin që nuk jemi tok
Sikur të ndodhte krejt papritur
Të vije në kët çast të trisht
Drurët e fjetur, të drobitur,
Do gjelbëronin mrekullisht.
PËR NJË PREKJE
Oh ky syri si ulli !
Mendjen po ma bën stuhi,
Falma sa ta puth një herë,
Në parajsë të shkojmë të dy.
Puthjen do ta bëj ilaç
Të shëroj sy e shpirt
Edhe vdekjes ti them “plaç”
Për një prekje, për një flirt.
S’ QENKA E LEHTË
Në qytetin labirint
Të shpirtit tënd
Kërkoj një shteg
Për të zënë një vënd
Përpiqem si engjëll,
Përplasem si xhind
Por s’qenka e lehtë
Në këtë labirint.
KOHË E ARTË
Kaloj kohën më të artë
Të jetës sime shënd e verë
Ku çdo sekondë shijon si mjaltë
Si s’ka shijuar asnjë herë.
Pyes veten: nga më vjen ky fat
Plot e përplot me lumturi?
I lutem Zotit ditë e natë
Nga ti mos ndahem kurrsesi.
VIZATIM
Në trupin tënd të shtrenjtë
Me puthje vizatova
Poemën më të shenjtë.
MUZG
Kur thyhet dita, në horizont
Muzgu shtrin gishtat e hollë,
N’ imagjinatë më vezullon
Fanitesh, lehtë ma bën me dorë.
Nga pas më ndjek në aventurë,
Unë kthehem mbrapsht e të ndjek ty
Dhe ky vrapim nuk mbaron kurrë
Rreth e përqark në pafundsi…
Por çfar të bëj që ta ngushtoj
Këtë humnerë që po na ndan
Që përjetsisht ta ndal kët’ lojë
E vazhdimisht të të kem pranë?
D E H J E
Marr rrugën që të shkoj diku,
Mendja më fluturon tek ti
Duke ëndërruar sytë e tu
Plot mençuri e ëmbëlsi.
Kujtoj zërin parajsor
Që vjen si nga një botë tjetër,
Lëvizjet plot humor rinor
Që bëje lart e posht si ketër.
Kështu të dehur në kujtime,
Ti vjen tek unë e unë tek ti,
Me ledhatime e përgëzime:
Parajsa do ta kish zili.