…Tregimet e Valbonës lodrojnë dhe ndërthurin me mjeshtëri episodet nga fëmijëria, natyra, familja, shkolla, shokët dhe puna në kooperativën e fshatit, duke përshkruar çaste të veçanta të dashurisë dhe lumturisë që kanë lënë një kujtim të paharruar…

 

Titulli: Klon

Autore: Valbona Hykaj

Redaktor: Jaho Margjeka

Recensent: Dr.Enriketa Papa Pandelejmoni

Punoi në kompjuter: Xheneta Mustafaj

 

Foto e ballinës: “Komunizmi në art”- instalacion, “Shtëpia me gjethe”

 

Botimi parë- 2024

 

Shtëpia botuese – ADA

Adresa – Rr. Mihal Grameno, P. 32, Ap. 7

Celular – 0682219016

Tiranë – Tetor 2024

 

© Të gjitha të drejtat janë të autores

 

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”

 

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Hykaj, Valbona

Klon : tregime / Valbona Hykaj ;

red. Jaho Margjeka.

– Tiranë : Ada, 2024.

124 f. ; 20 cm.

ISBN: 978-9928-823-48-9

1.Letërsia shqipe

2.Tregime dhe novela

821.18 -32

 

PASQYRË E GJALLË DHE REALISTE E JETËS NË KOMUNIZËM

 

Në një orë të zakonshme mësimi me studentët e masterit të mësuesisë, ku diskutoja elementet e trashëgimisë kulturore shqiptare, ngulita përjetësisht në kujtesën time Valbona Hykajn. Valbona me një bashkëstudente hyri në klasë e veshur me kostumin folklorik të zonës së saj dhe prezantoi traditat dhe doket me një pasion poetik dhe sy që i shkelqenin nga përkushtimi dhe përkujdesja mbi tematikën e seminarit, që e kam hasur rrallë tek studentët e mi. Edhe pse ajo më thërret profesore Eni, për mua ajo është më shumë se kaq. Në thellësinë time do ta preferoja thjesht Eni, pasi nuk e shoh si një studente, por si një mikeshë të vërtetë që rastësia e mësimdhënies na puqi në jetën tona. Kur më kërkoi të shkruaja disa fjalë për tregimet e saj që më kishte dërguar me email, ndjeva një lloj përgjegjësie për të përmbushur këtë kërkesë, ndonëse nuk kam ndonjë talent të veçantë për krijimin e reçensave letrare. Megjithatë, fjala e dhënë, më shtyu të ulem dhe t’i lexoj me vëmendje tregimet e Bonës në fillim të shtatorit, pas dërgimit të tyre në korrik 2024. Përthithja në leximin e këtyre tregimeve ishte e plotë. Ato më ndihmuan të rikujtoj episode të fëmijërisë sime dhe ndjenja që përshkoi fundleximin ishte e njëjtë me marrjen e një frymëmarrjeje të thellë për të ripërtërirë kujtimet e 15 viteve të mia të kaluara në komunizëm. Në tregimet e Bonës, të cilat janë të pakta në letërsinë shqiptare dhe të munguara për rininë, ndjeva një paralele me fragmente të fëmijërisë sime. Tranzicioni ynë i pafund drejt demokracisë ka kyçur kujtimet tona në arkën e harresës, të cilën nuk ia çelim fëmijëve dhe të rinjve tanë. Ky libër është dhe një thirrje për të rikujtuar, për të folur dhe për të reflektuar mbi fëmijërinë tonë në komunizëm. Një retrospektivë e përdishtmërisë së komunizmit shqiptar. Tregimet e përmbledhura në titullin simbolik e domethenës “Klon” janë dromca jetësore, tek-tuk autobiografike, mbi përditshmërinë në komunizëm parë në sytë e një fëmije që rritet në thellësitë e Shqipërisë rurale. Me episode të tilla si “Guri në mes të livadhit”, “Përrallat e gjyshes”, “Trasta me miell”, ato ofrojnë një pasqyrë të një periudhe të mbërthyer nga diktatura komuniste. Ky libër është një burim i vyer letraro-historik që duhet të shërbejë si burim jashtëkurrikularë në arsimin parauniversitar. Tregimet krijojnë një panoramë të jetës së thjeshtë dhe të përkushtuar, duke ofruar ndjesi të forta mbi ato kohë të kaluara parë nga sytë e një fëmije. Çdo fragment, nga luajtja në livadh, lidhja me natyrën, përvojat me gjyshen, deri te ritualet dhe agjërimi, besimi i fshehtë në Zot, rutina e përditshme, ndihmon në krijimin e një imazhi të qartë të një periudhe që ka shenjuar përdhunshëm jetët e shqiptarëve, që shpesh është e pakapshme në studimet akademike. Ato janë të çmuara për përshkrimin e realitetit të përditshëm, duke përfshirë elemente të varfërisë, ideologjizimin e jetës dhe rutinën e shkollës. Përvoja që përshkruhet në këto fragmente është esenciale për të kuptuar si njerëzit përballeshin me izolimin mendor dhe social gjatë komunizmit, ku mësuesja ishte gjithashtu syri i Partisë që ruante puritanizmin e regjimit. “Klon,” përmbledhja e tregimeve e shkrimtares Valbona Hykaj, është një pasqyrë e ndjeshme dhe e gjallë e jetës së fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipërinë rurale gjatë periudhës së komunizmit. Në një realitet të ashpër ekonomiko-social, ku dhe blerja e një palë këpucësh ishte një luks i paarritshëm dhe norma e punës në kooperativë ishte një barrë e rëndë, Valbona, me një gjuhë të thjeshtë dhe të mbushur me përshtjellime ndjesish, sjell përjetimet e hidhura të fëmijës që rritet në varfërinë e një regjimi shtypës. Tregimet e saj janë një dëshmi e ashpërsisë së jetës në fshatin shqiptar gjatë diktaturës dhe një reflektim i sakrificave dhe ëndrrave të thyer të një brezi. Por ndërsa ndriçon përjetimet e dhimbshme, ky libër gjithashtu flet për dlirësinë dhe çiltërsinë fëmijërore. Buzëkuqi i fëmijërisë dhe dhredhëzat e mbledhura me hare përcjellin çaste gëzimi që shkëlqejnë brenda kornizës së vështirë të kohës ku çdo moment i vogël ka një vlerë të madhe, dhe çdo përvojë është e mbushur me ngjyra dhe emocione. Periudha e vështirë është e shoqëruar me kontraste të forta mes gëzimit fëmijëror, haresë dhe thjeshtësisë që fal natyra, përballë boshllëkut të regjimit dhe shkërmoqjes finale të tij, simbolizuar me metaforën e fortë të jetës së Kalit të Bardhë, Muçit, që u ngrys me prishjen e kooperativës. Tregimet e Valbonës lodrojnë dhe ndërthurin me mjeshtëri episodet nga fëmijëria, natyra, familja, shkolla, shokët dhe puna në kooperativën e fshatit, duke përshkruar çaste të veçanta të dashurisë dhe lumturisë që kanë lënë një kujtim të paharruar, si në “Fustani,” “Valixhja e babës,” “Koncerti,” “Dasma,” “Qielli im i Vogël,” “Dhurata e Vitit të Ri,” etj. Po ashtu, ato eksplorojnë frikën dhe emocionet e fëmijës përballë ndjesive të papërshtatshmërisë në tregimin “Thesi me gështenja” dhe përditshmërinë familjare, porositë e nënës dhe kujtimet mbi gjyshen e dashur në tregime si “Sandalet,”, “Buka e grurit,” “Katër këmbë dhie,” “Njëqindlekëshi,” “Përrallat e gjyshes,” dhe “Thesari.” Ky libër është një pasuri e çmuar për ata që kërkojnë të kuptojnë më thellë dhe të vlerësojnë jetën gjatë periudhës komuniste në Shqipëri. Në përfundim, dëshiroj të theksoj se këto tekste ofrojnë një kontribut të vyer në përpjekjet për të pasqyruar realitetin e komunizmit në Shqipëri. Ato ndihmojnë në ndriçimin e aspekteve të përditshmërisë të asaj kohe dhe janë një pasuri e çmuar për të rinjtë që nuk dine çka qenë komunizmi në Shqipëri. Për më tepër, fragmente nga ky libër mund të përdoren si materiale shkollore për të përshkruar jetën në komunizëm nga sytë e një fëmije dhe si burime për projekte jashtëkurikulare, duke ndihmuar nxënësit të përfytyrojnë dhe të thellohen në dijet mbi të kaluarën komuniste të vendit.

 

Dr. Enriketa Papa Pandelejmoni

Pedagoge në Fakultetin Histori-Filologji

Universiteti i Tiranës

 

Tiranë, 8 Shtator 2024