Një libë interesant, një amanet tashmë I realizuar vjen këtë fundjavë nga shtëpia botuese ADA

 

Autor: Mefail Ganiu

Titulli: Bajlozi i Kuq

Përgatiti për botim: Faik Skopeci

Redaktor: Çelik Petriti

Design: Valbona Petanaj

Realizimi grafik i kopertinës: Enion Petanaj

Piktura në kopertinë: Vepra “Dyluftimi”  piktori Parid DULE

Botimet: ADA

Tiranë, 2024

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

 

Ganiu, Mefail

Bajlozi i kuq / Mefail Ganiu ; red.

Çelik Petriti. – Tiranë : Ada, 2024.

… f. ; … cm.

ISBN: 978-9928-823-38-0

1.Letërsia shqipe             2.Poezia

821.18 -1

 

JETËSHKRIM

Mefail Ganiu (Skopeci)  2 Korrk 1959 – 12 Dhjetor 2004Mefail Ganiu, i biri i Gani Skopecit dhe Luze Skopecit, u lind dhe u rrit në fshatin Rashtan, (Prrenjas), Librazhd.

Dy fjalë për origjinën e familjes:

Mefaili i përkiste një familjeje fshatre (të mesme), siç do ta quante vetë ai në shënimet e mbajtura. Në vitin 1914 stërgjyshërit dhe gjyshi i mitur, Istrefi, gjatë Luftës së Parë Botërore, së bashku me shumë familje të zonës, u shpërngulën nga ushtria Bullgare dhe u dërguan “muhaxhirë” jashtë Shqipërisë. Në vjshtën e vitit 1918 u kthyen në fshat, duke gjetur të djegur shtëpinë dhe blegtorinë të shfarosuar nga ata që deri atëherë kishin në zotërim zonën; ushtritë që shkonin e vinin. Me shumë përpjekje arritën të rimëkëmbeshin ekonomikisht, duke “nxjerrë bukën e gojës” për gjithë vitin; pra nuk i shtrinin dorën kujt për bukë. Babai, Ganiu, në moshë ende të njomë, gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, qe partizan në Brigadën e 15 Sulmuese. Prindërit ishin bujq të zot dhe i dolën zot familjes që përbëhej prej  6 fëmijë; Guri, Elmia, Mefaili, Lefteria, Faiku dhe Lavdimi.Në vitin 1974 mbaroi shkollën 8 Vjeçare “1 Maji”

në Rashtan, fshatin e lindjes. Në periudhën 1974-1978 vijoi shkollën e Mesme të Përgjithshme në Librazhd. Pas përfundimit të Shkollës së Mesme punon si punëtor në Ndërmarrjen Bujqësore, Prrenjas. Në data 1 Shtator 1979 deri më 15 Gusht nga Seksioni i Arsimit Librazhd emërohet mesues për lëndët Gjuhë dhe Letërsi në shkollën 8 Vjeçare në fshatin Prevall të rrethit të Librazhdit. Më pas (nga data 16 gusht deri më 30 dhjetor 1980) emërohet në Shkollën e 8-Vjeçare Prevall-Vërri. Në periudhën 5 Janar 1981- 18 Janar 1983 ndërpret punën si mësues për kryerjen e Shërbimit të Detyrushëm Ushtarak në repartin Ushtarak nr. 3111, konkrektisht në bateri kundërajrore, në Malin e Zylit. Ndërkohë që kryentë Shërbimin  e Detyrueshëm Ushtarak vijonte Studimet e Larta në Institutin e Lartë Pedagogjik, Elbasan, të cilin e përfundon pa shkëputje nga puna në vitin 1986.Pas përfundimit të Shërbimit të Detyrueshëm Ushtarak nga Seksioni i Arsimit Librazhd emërohet mësues për Gjuhën Shqipe në Shkollën 8 Vjeçare në fshatin Skënderbe-2, rrethi Librazhd, ku punon nga data 21 janar 1983 deri më 12 Shkurt 1984. Më pas, në harkun kohor 13 Shkurt-15 Gusht 1984, punon në Shkollën 8-Vjeçare në fshatin Dritaj, Librazhd. Pas kësaj rikthehet përsëri si mësues në Shkollën 8-Vjeçare në fshatin Skënderbe-2 ku punon nga data 16 gusht 1984 deri më 15 Gusht 1987. Qëndron tre vite në detyrë në fshatin Skënderbe-2, një zonë mjaft e vështirë, si nga klima ashtu dhe na infrastruktura, ku më së shumti udhën vajtje dhe kthim një herë në javë (apo dy herë në muaj) duhet ta bënte më këmbë, si në ditët e ftohta të Dimrit ashtu edhe në ditë të nxehta Vere. Në vitin 1987 emërohet mësues në shkollën 8-Vjeçare në fshatin Katjel, ku punon nga data 15 gusht 1987 deri më 15 Gusht 1989. Pas kësaj kthehet si mësues në fshatin e tij të lindjes, Rashtan ku punon si mësues për lëndët Gjuhë-Letërsi dhe në disa raste si drejtor i shkollës 8-Vjeçare “1 Maji”, deri në vitin 2001. Në vitin 2001 kërkon të tjera mundësi, një tjetër frymëmarrje për jetën e vet, për shpirtin  e poetit; por që nuk do të ishte  e lehtë. Në muajin shtator 2001 transferohet me banim në Tiranë, por tashmë mësuesi i pasionuar mbetet i papunë pasi bie pre e mashtrimeve të “njerëzve” shpirtvegjël. Në pamundësi punësimi si mësues, për të mbijetuar fillon punë në ndëtim. Pas  shumë përpjekjesh arrin të fillojë punë si mësues zëvendësues në disa shkolla 8-Vjeçare në Tiranë, në Sauk dhe më pas në Shkollën e “Abdulla Keta”. Si pasojë e vuajtjeve shpirtërore dhe fizike, shëndeti fillon dhe i rëndohet, për rrjedhojë në muajin nëntor 2004 sëmuret rëndë. Nën kujdesin e vëllait të madh, Gurit, shtrohet në spital në Elbasan, ku ndërron jetë në datën 12 dhjetor 2004. Varrimi iu bë në Rashtan, në vendlindjen e tij, ku prehet përjetësisht.

 

Studimi i folklorit

Përveç letërsisë punoi me përkushtim për studimin e folklorit dhe mbledhjen e fjalëve të rralla, këngëve të vjetra, fabulave dhe përrallave të zonës së Lbrazhdit. Ka patur korrenspodencë me profesior Androkli Kostallari i cili i pati dhënë në dispozicion një udhëzues për ta bërë sa më profesionale punën e tin edhe në këtë fushë. Takonte dhe bisedonte me njerëz të moshuar dhe “blinte” nga ata mençurinë, këngët, anekdotën, përrallat dhe fjalën  e urtë.

Letërsia

Letërsia ishte pasioni i Mafail Ganiut (Skopeci). Mefaili ka shkruar poezi që në moshë të vogël, por në Shkollën e Mesme e më pas pena e tij nuk do të reshtte së shkruari poezi, fabula dhe tregime. Boton artikuj në disa organe periodike në Librazhd. Në vitin 1995 boton dy librat e parë “Dhelpra çobaneshë pulash”, me fabula dhe përrallëza dhe librin me poezi “Malli yt po më zhurit”. Më pas, në vitin 1987, boton librin me fabula dhe përrallëza “Dhelpra Avokate”. Në vitin 2000 boton librin me fabula dhe përrallëza “Dhelpra Kozmike”. Librat  janë botuar nga Shtëpia Botuese “Toena”. Më 12 Dhjetor 2004 Mefail Ganiu ndërron jetë duke lenë të pa botuara  tre libra; “Një urim për miqtë”, i cili u botua në vitin 2021 me titull “Lerma zemrën të më këndojë” (poezi), librin me poezi “Bajlozi i Kuq” dhe librin me fabula “ Nusja e Ujkut”

Mefail Ganiu para se të ndërronte jetë dorëshkrimet ja la si amanet vëllait të madh Guri Skopeci i cili i ruajti me fanatizëm derisa u largua nga jeta më 3 Gusht 2021. Me vdekjen e vëllait të madh dorëshkrimet i kaluan vëllait tjetër Faik Skopeci i cili ju vu punës për t’i shkruar në kompjuter. Brenda një periudhe tre mujore shkruan në word në kopjuter jo vetëm librat e lëna dorëshkrim, por gjithë krijimtarinë e vëllait, poetit Mefail Ganiu.

Në periudhën Nëntor – Dhjetor 2021 në bashkëpunim me miqtë e autorit; gazetarin dhe poetin Rexhep Polisi, mesuesin dhe shkrimtarin Çelik Petriti, studiuesin dhe publicistin Bedri Blloshmi  ju vunë punës për Përgatitjen për botim të librave  “Lerma Zemrën të më Këndojë” (poezi), “Bajlozi i Kuq” (poezi) dhe “Nusja e Ujkut” (fabula).

Pëgatiti Faik Skopeci

Botimi i librit u mundësua me kontributin vëllezërve dhe motrave të autorit, Guri Skopeci, Elmie Avdullari, Lefterie Vasku, Lavdim Skopeci, Faik Skopeci.

Një falenderim të veçantë për nipërit dhe mbesat për kontributin e dhënë financiar.