…Me një penë të ndjeshme dhe të mprehtë, Floresha Zyberi përcjell me këtë frymë fatin e një vajze të re e cila përballet me sfida të mëdha dhe tragjedi të papritura që ndryshojnë rrënjësisht jetën e saj…

 

 

Titulli: LULJA E FERRËS

Autore: Floresha Zyberi (Qyra)

Redaktor letrar: Eris Rusi

Botimi i parë, 2024

 

ISBN: 978-9928-823-32-8

 

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Formati : 14x20cm

Të gjitha të drejtat i takojnë autores

 

Shtëpia botuese “ADA”

Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7

www. botimetada.com

Cel: 068 22 190 16

Tiranë, gusht 2024

 

Shtypur në Shtypshkronjën e shtëpisë botuese ADA

 

 

Për  botimin  e  këtij  libri,  ndihmuan 

me  vlerë  monetare: 

Firma   “ERA  MERMER”

Dhe  familja  e Agim dhe Valmira Çoçka

nga Njuxhersi  Amerikë.

 

 

 

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Zyberi (Qyra), Floresha

Lulja e ferrës : roman / Floresha

Zyberi (Qyra) ; red. Eris Rusi.

– Tiranë : Ada, 2024.

128 f. ; 20 cm.

ISBN: 978-9928-823-32-8

1.Letërsia shqipe     2.Romane

821.18 -31

 

Parathënie

Letërsia zotëron forcën për të nxjerrë në dritë të vërtetat e heshtura dhe për të frymëzuar ndryshimet në shoqëri. Shkrimtarët janë ata që guxojnë të thonë atë që të tjerët nuk mund ose nuk duan ta thonë. Janë ata që pasqyrojnë realitetet e dhimbshme, duke ndihmuar shoqërinë të përballet me të metat e saj dhe të kërkojë përmirësim. Në romanin e saj më të fundit, “Lulja e Ferrës”, shkrimtarja Floresha Zyberi na dhuron një histori prekëse që reflekton këtë anë sociale të rolit të krijuesve. Libri përcjell realitetin e dhimbshëm të protagonistes së romanit, Lules, e cila që në moshë të vogël sfidohet nga fati dhe padrejtësitë, pëson zhgënjime, humbje të mëdha, e nuk dorëzohet asnjëherë, por përpiqet të lulëzojë, mes ferrave të realitetit të hidhur shqiptar. Me një penë të ndjeshme dhe të mprehtë, Floresha Zyberi përcjell me këtë frymë fatin e kësaj vajzë të re e cila përballet me sfida të mëdha dhe tragjedi të papritura që ndryshojnë rrënjësisht jetën e saj.

“Lulja e ferrës” fillon me një skenë dramatike ku prindërit e Lules humbin jetën në një aksident të tmerrshëm, duke e lënë vajzën e vogël të përballet me një botë të huaj dhe të pamëshirshme. Duke kaluar nga fëmijëria në moshën e adoleshencës nën kujdesin e një xhaxhai të ashpër dhe të padrejtë, Lulja lufton për të ruajtur integritetin e saj dhe për të ndjekur ëndrrat që i ka premtuar vetes dhe prindërve të saj të ndjerë. Duke ndjekur fatin e protagonistes, autorja e ndërton tekstin jo vetëm si një pasqyrë të shoqërisë, por edhe si një thirrje për veprim, një nxitje për të ndërtuar një botë më të mirë për brezat e ardhshëm. Nuk është e lehtë të kesh një jetë normale në një vend që po humbet pak nga pak fizionominë shpirtërore të tij. Në planin moral, shthurja dhe zvetënimi janë kthyer në një normalitet, që ngjan nuk i bën përshtypje askujt. Floresha Zyberi trajton me mjeshtëri temën e humbjes dhe të mbijetesës, duke shpalosur një varg personazhesh dhe situatash që pasqyrojnë kompleksitetin e jetës rurale dhe urbane shqiptare. Duke u përballur me dhunën dhe padrejtësitë, Lulja gjen forcën për të mbijetuar dhe për të ndjekur ëndrrat e saj përmes vendosmërisë dhe guximit të saj të palëkundur.

Ja si e përshkruan autorja protagonisten në libër:

“Me një buzëqeshje të re në fytyrë, ajo e ndjeu se ishte gati të vazhdonte të ecte përpara, e bindur se ëndrrat e saj ishin të arritshme dhe se çdo pengesë ishte vetëm një hap drejt suksesit. Ditët në vazhdim, ajo u përkushtua më shumë pas skenës, duke luajtur çdo provë me një pasion të ri. Çdo rol që luante, çdo skenë që realizonte, i nxiste dëshirën për të mos u ndalur. Idealet e saj nuk kishin ndryshuar… […] Ndërkohë, thellë, brenda zemrës, kish filluar të ndjehej një ndryshim që nuk e pat njohur më parë. Kur mendimet i shkonin rreth njerëzve që kishte afër në ambientin e punës, vëmendja ndalej tek profesor Arturi. Mundohej ta hiqte nga mendja, por nuk ishte e lehtë. Ajo nuk e kishte provuar dashurinë dhe ja tani na dilte një pedagog i madh dhe interesohej për të. Nuk donte të zgjatej më tepër në ato fantazi. Përpara kishte karrierën, aktrimin, nuk duhej të shpërqendrohej asnjë moment.”

Lulja përpiqet ta mbajë fokusin tek karriera e saj, duke mos lejuar që këto ndjenja të shpërqendrojnë. Ajo është e ndërgjegjshme se për të arritur suksesin që dëshiron në aktrim, duhet të mbetet e vendosur deri në fund. Megjithatë, ajo pranon që mendja mund të lëkundet dhe se ndjenjat e papritura janë pjesë e jetës, por mbetet e përkushtuar ndaj shpresës dhe vendosmërisë për të mos hequr dorë kurrë nga ëndrrat e saj. Kështu, natyra e saj shpaloset dhe lexuesi njihet me një personazh kompleks, që ndërthur pasionin për profesionin me përvojat e para të dashurisë. Prostitucioni, si një formë ekstreme e shtrembërimit moral, është një tjetër temë e rëndësishme në roman. Lida, një grua e shkatërruar nga jeta dhe e detyruar të prostituojë për të mbijetuar, simbolizon humbjen e dinjitetit dhe shpresës në një shoqëri që nuk ofron mundësi të barabarta. Përmes historisë së Lidës dhe marrëdhënies së saj me Lulen, Zyberi denoncon shoqërinë që mbyll sytë ndaj këtyre padrejtësive dhe nuk arrin të mbrojë më të dobëtit. Letërsia, në këtë rast, bëhet një zë për ata që janë të heshtur dhe të përjashtuar nga jeta publike. Për më tepër, nuancat e të mirës dhe të keqes nuk janë ato që njohim rëndom në shoqërinë sot. Nga të dobëtit, nga njerëzit e flakur në zgrip të shoqërisë, mund të vijnë gjeste të mëdha, njerëzore. I tillë është edhe veprimi i Lidës e cila megjithëse e damkosur nga shoqëria, nuk heziton ta ndihmojë Lulen si bijën e saj, kur njihet me fatkeqësinë që asaj i ka rënë mbi krye. Kështu, mund të themi që ky roman, i cili është i mbushur me momente reflektimi dhe emocione që përjetohen gjatë leximit. Floresha Zyberi na kujton rëndësinë e forcës së brendshme dhe të shpresës, edhe në situatat më të vështira, duke iu përmbajtur jehonës që vjen nga lashtësia e kohëve, në citatin e poetit të famshëm latin, Virgjilit, i cili shprehej:  “Jeta është një luftë, por duhet të luftosh për ta fituar”. Ky mesazh përmbledh në mënyrë të përkryer frymën që del nga përmbajtja e këtij libri.

Në mbyllje, vlen të përmendet që në një shoqëri ku korrupsioni dhe paaftësia e institucioneve shtetërore janë të përhapura, letërsia luan një rol kritik në ngritjen e ndërgjegjes dhe në nxitjen e ndryshimeve. Autorja tregon se si korrupsioni dhe rrjetet e interesave të fshehta minojnë funksionimin e drejtësisë dhe përkeqësojnë jetën e qytetarëve të zakonshëm. Policia dhe shteti, të paaftë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe për të vendosur drejtësinë, tregohen të papërgjegjshëm dhe të paefektshëm. Letërsia, duke ndriçuar këto probleme, i sfidon lexuesit të kërkojnë llogaridhënie dhe të angazhohen për një shoqëri më të drejtë. Kështu, ky libër kthehet në një testament të fuqisë së shpirtit njerëzor dhe të aftësisë për të gjetur dritë edhe në momentet më të errëta. Me një gjuhë të pasur dhe një narrativë aspak të ndërlikuar, Floresha Zyberi ka krijuar një vepër që jo vetëm prek zemrat, por edhe frymëzon dhe motivon lexuesit për të besuar në forcën e të drejtës, në fuqinë e të mirës, për ta ndryshuar fatin dhe jetën tonë.

 

Eris Rusi

Kryetar i Klubit të shkrimtarëve “Bota e re”

Korçë