E mendova më të lehtë shkrimin e kësaj përshëndetje në këtë 8-vjetor të revistës, por
ja që s’qenka kështu.E para, sepse unë nuk jam mësuar të flas për vete dhe e dyta, sepse
çdo numër i saj për mua është një emocion. Tetë vite revistë nuk janë shumë, por nuk janë
edhe pak. Filloi me entuziazëm, siç fillojnë tërë punët e më pas rutina e punëve të përditshme
veproi, por nuk mundi të më mposhtë.
Ndër vite kam punuar me stafe të ndryshme dhe, pa dyshim, secili ka sjellë frymën e
nivelin e vet dhe kjo shihet po të shfletosh revistat. Ajo që më jep kënaqësi është fakti se
kjo krijesë e brishtë u rrit dhe vazhdon të jetë mes nesh e do të vazhdojë deri sa të ketë
krijues që kanë diçka të bukur për të thënë dhe derisa unë të kem në xhep qindarkën e
fundit.
E ndjej se do të bëja gabim nëse në këtë përvjetor do të veçoja emra, pasi të gjithë ata
që kane sjellë krijimet e tyre në faqet e kësaj reviste janë për mua miqtë e mi më të mirë.
Nuk jam këtu për të caktuar hierarki vlerash, por, pa modesti mund të them se niveli i revistës
ka ardhur gjithnjë duke u rritur.
Vazhdimësia e revistës është, pa dyshim, njëra nga anët e forta të saj. Në kushtet e krizës, mbajtja
e një reviste është një luks. Për këtë, një ndihmesë ka Shtëpia Botuese “ADA”
dhe shtypshkronja e saj. Konkurset e zhvilluara dhe botimet e saj, tashmë
cilësore kanë bërë që revista të vazhdojë të jetë një dritare informimi kulturor.
Projektet që ka për të ardhmen janë ambicioze dhe të mbështetura në përvojën e
fituar.
Në përfundim, dua të falenderoj të gjithë krijuesit, miqtë e revistës “Obelisk” dhe
bashkëpunëtorët e saj. Një falenderim familjes sime të mrekullueshme për
mbështetjen e gjithanëshme që më ka dhënë.
Edhe shumë vite bashkë!
Me respekt Roland Lushi.