A+ R A-

KRYEMINISTRI NUK MUND TË PRESË MË

Thursday, 08 December 2016 12:47

www.botimetada.com

Burhan K. pa  plot merak e ankth oborrin e shkretuar me gjithsej të vilës së vogël e të vendosur në një pjerrësi të humbur të kryeqytetit. Gjatë gjithë rrugës, që zgjati gati tri ditë e ca që nga fshati i humbur Bilan, ai kishte sjellë e përsjellë nëpër mend nëse duhej apo s’duhej të shkonte në vdekjen e ish-kryeministrit një fshatar i thjeshtë si ai. Ky ish-kryeministër i kish bërë dikur një të mirë të madhe. Burhan K. kishte pritur plot shtatë ditë e shtatë net të tëra për të hyrë më në fund tek ai, nëpërmjet një zhgani të pafund formularësh, nëpunësish e rojash të armatosur gjer në dhëmbë. Të gjithë e shikonin plot shpoti e indiferencë. Burhan K. mezi mundi t’i thotë disa fjalë kryeministrit, që në atë kohë po i sillnin kafenë me një takëm porcelani kinez të bardhë dhe e prisnin pas portës disa diplomatë të ngutshëm shteti. Megjithatë ai ia tha ato që kishte për të thënë. Kryeministri atë ditë qe në humor tepër të mirë, do të shkonte vizitë te një kryeministër tjetër mik, shkëlqente i tëri si të qe lyer me varak të verdhë hëne ose dielli. Pas audiencës, ai e ftoi Burhan K. për kafe në shtëpi. Fshatari u drodh si t’i hidhnin përsipër gurë të nxehtë. E pranoi pa dashje atë ftesë qiellore, u zbyth ngadalë e plot respekt, me shkresën shpëtimtare ndër duart me falangje të zeza si të merimangës dhe doli në rrugë, i mbuluar plot djersë e turp. Kishte zbritur nga maja e një mali tepër të lartë e të vështirë, si të zbriste nga një planet i largët dhe i mbuluar plot mister të rrezikshëm.
Në portën e vogël dhe të vjetër të vilës së heshtur hyri në atë çast një plak tjetër si ai. Burhan K. u afrua plot merak e frikë në oborrin e mbjellë me asparaguse dhe drurë cedri të braktisur. Që nga brenda nuk vinte kurrfarë zhurme ose gjërash të tjera që shoqërojnë zakonisht vdekjet ose dasmat e njerëzve të mëdhenj. Ai dyshoi në lajmin që kishte lexuar në gazetë, kujtoi një moment se mos kishte ndërruar adresë: radhën e parë që kishte pirë kafenë, ai kishte hyrë në një vilë tepër të madhe e tepër të shtrenjtë dhe plot shërbëtorë e roja. Kafenë, që ia kishte servirur e shoqja e ish-kryeministrit, e kishte pirë fare të përvëluar, ngutej që të ikte nga ai ferr i ëmbël me buzëqeshje dhe pritje të këndshme. Gruaja e ish-kryeministrit qe e gjatë dhe tepër joshëse: nga dekolteja e hapur i binin gjinjtë e mëdhenj dhe të larë me dritë verbuese deti. Burhan K. u ngjeth si ta kishin futur në një kazan me ujë dhe korale të ëmbla.
Pyeti një njeri, që kaloi rastësisht aty nëse ajo qe vërtet shtëpia e atij që kërkonte. Njeriu pohoi i qetë me kokë dhe shkoi më tej, atje ku fillonte dhe pjesa më luksoze e kryeqytetit të mbuluar atë ditë me diell dhe fanfara makinash të shtrenjta. Burhan K. hyri me hezitim në korridorin e vogël të vilës; pa me shqetësim lart, atje kur ravijëzoheshin shtrembër-shtrembër parmakët e dalë boje të shtëpisë. Që nga fundi i atij korridori të errët vinte gjer tek ai pëshpërima e ngadaltë e një gruaje që qante me dënesë të lehtë.
Ish-kryeministri qe shtrirë në pak vend, aq sa mund të nxinte një fëmijë i vogël. Burhan K. përshëndeti plot hezitim ata pak njerëz që rrinin rreth e rreth arkivolit të mbuluar me pelush të zi e të kuq. Pastaj i dha dorën të shoqes, asaj gruaje që mezi mbahej mend. Gruaja kishte hyrë përbrenda kockash, si të hynte në një këllëf më të vogël se ç’i kishin bërë dikur. “Është rrëgjuar që lëre mos e pyet”, mendoi plot trishtim fshatari dhe u ul me ndrojtje, sepse një mendje i tha që të ngrihej menjëherë e të ikte. Nuk i duronte ambientet e xhenazeve, heshtjen, frikën, shtirjen; i dukej sikur edhe ai luante përnjëmend një rol tepër të vështirë e të keq para atij që kishte vdekur dhe që i kishte bërë një nder dikujt.
-E njihnit? – e pyeti një plak po aq i vogël sa i vdekuri që qe shtrirë asnjë metër më tej.
-Po, - pohoi i qetë Burhan K. – dikur më ka bërë një nder të madh; thuajse më ka shpëtuar kokën.
-Sot rrallë i mbajnë mend nderet, - ia priti plot cinizëm plaku me mantel të zi. – Sapo njëri bie nga maja e fikut, njerëzit i kthejnë krahët menjëherë.
-Gjëra që dihen, - tha Burhan K. me keqardhje dhe pa plot merak burrin e shtrirë në një qetësi të zezë funebre.
-Këtu banoni?
-Jo, - foli ai me hezitim, - më larg. Kam bërë tri ditë rrugë për të ardhur gjer këtu.
-O Zot, nga kaq larg? – pyeti plaku dhe pa me interesim nga e shoqja kryeulur e ish-kryeministrit të mbështjellë me grinë e asaj dite, të ngarkuar plot trishtim e mërzi.
-Zonja më ka bërë dikur një kafe tepër të mirë, - tha ai dhe e vështroi gruan plot variçe të zeza në këmbë me një dhembshuri të sinqertë. E iu kujtua se ajo kishte dikur këmbë me pulpa tepër të bukura dhe shoshone me këllëf sedefi përsipër.
I dukej se me njerëzit jeta bënte gjithmonë lodra të tilla të mbrapshta si me ish-kryeministrin dhe të shoqen e tij. Tani që vdekja i kishte shkoqitur si në kristal të gjitha të mirat dhe të këqijat, qe tepër vonë për të menduar se sa të padrejtë e të pasinqertë qenë njerëzit me njëri-tjetrin. “Po, gjëra që të mërzisin përherë”, mendoi i lodhur Burhan K. U ngrit pas një momenti, pasi i la shëndenë të gjithëve. “Je nga të vetmit që s’ia ke harruar nderet”, tha plot dënesë gruaja me variçe të zeza, që e përcolli një copë rrugë duke rënkuar. Kur zbriti ai, sapo erdhi autobusi shkatarraq i varrezës që do të merrte arkivolin e ish-kryeministrit. Burhan K. nxitoi që të mos hasej me pjesën më të vështirë të pelegrinazhit të vdekjes.
Doli në rrugë në kohën që dilte dielli nga retë e zeza të shiut. Psherëtiu si nga fundi i një makthi; e kishte bërë më në fund atë që duhej. I qetë dhe i kthjellët, kaloi në bulevardin përbri, ku tani shëtisnin shumë njerëz dhe kalonin me vrull makinat e shpejta. Që nga cepi i largët i bulevardit të madh befas ranë boritë e alarmit: një dorë e fuqishme e vërviti Burhan K. nga buza e rrugës deri në mesin e trotuarit, si të vërtiste një manekin të vogël. “Ç’është?” – mundi të pyesë ai duke u mbajtur me dorë në trungun e një pishe të madhe. “Kalon kryeministri i ri”, - tha njëri që u zhduk pas një momenti si ta kishte përpirë vdekja, - vete të takojë disa kryeministra të tjerë si ai në një banket të madh qeveritar”. Pa i mbaruar mirë ai fjalët, ia behën si nga qielli disa vetura me vernik të kaltër vezullues: kalonin vrulltas, si të rrëshqisnin mbi një pistë të butë akulli të freskët. Makina e madhe e kryeministrit të ri ndodhej në mes, ajo dukej dhe më e vezulluar dhe më e bukur se të tjerat. U zhdukën pas një çasti në kthesën e largët të bulevardit të madh, atje ku fillonte edhe pjesa më e privilegjuar e kryeqytetit, të mbuluar në atë kohë me fanfarat e një feste që pritej të ndodhte patjetër disa orë ose disa ditë më vonë sesa kalimi i asaj xhenazeje shkatarraqe të vogël e të heshtur, që në atë kohë doli nga vila e vogël e braktisur dhe mori plot stepje rrugën e mbuluar me baltë e shi të varrezës së largët, që zbardhte plot kërcënim atje tej.