A+ R A-

DASHURIA IME QUHET DRIN

Tuesday, 03 January 2017 17:22

Të gjitha botimet e shtëpisë botuese ADA mund t’i gjeni në Bibliotekën Kombëtare Tiranë

 

 

PARATHËNIE

Shpirti i përditshëm krijues i poetit Tonin Nikolli në poezitë e tij “Dashuria ime quhet Drin” sikur na bëhet një shtigjehapës përjetimesh të njohura, por të pa provuara, si degëzim ngarendjesh edhe drejt njohjes së vetvetes krijuese brenda magjisë poetike. Edhe gjëmimet e ëmbëla, të mbushura edhe me dhembje e mall brenda ditëve të historisë dhe të tashmes trazuese, brenda përmbajtjeve poetike, ndërtojnë hapësira qiellore dhe shpirtërore, duke krijuar dhe përpjekje për shëmbjen e shëmtive të heshtura dhe shumëherë të ledhatuara njerëzore.
Nëpërmjet natyrës së tij të përjetimeve dhe të ëndërrimeve përmallore, autori, nëpërmjet vargjeve poetike të tij, arrin hetueshëm dhe pahetueshëm të shpalojë të gjitha këto, jo vetëm në natyrën e tij krijuese, por arrin të prekë gjithë ndjeshmërinë përjetuese të lexuesit dhe më gjerë. Prandaj, mund të thuhet se e gjithë përmbajtja tematike dhe poetike e këtyre poezive të poetit Tonin Nikolli prekë dhe “ngacmon” përditshmërinë tonë kolektive, pavarësisht ku gjendet ky kolektiv (në atdhe, apo në migrim).
Shpirti i poetit Tonini bredhë edhe jashtë ambienteve të përkohshme ku jeton trupi i tij (në Itali), sidomos në mjediset përkatëse të identitetit të tij të mallit dhe të përmallimit të çdokohshëm, siç përjetohet e gjithë kjo në poezinë e tij “Sivjet…”: /Sivjet do shkoj në Gjadër!/ Të shkul një gur oborri,/ Për ta peshuar, / Sa rëndon… / Pastaj, / Do shtrihem në një rrëzë… / Të fle, / Me gurin/ nën kokë… /

Poeti Tonin Nikolli me poezitë e tij të librit “Dashuria ime quhet Drin” trajton mesazhe të qarta, të ndjeshme dhe porositëse për kuptimzbërthimin e paluhatshëm të dashurisë ndaj vendit dhe mjediseve tona të ngrohta, por të shumëvuajtura, siç mund të përjetohen këto edhe në poezinë e tij shumëdimensionale “ Shkon Drini”, ku “Gjireve të heshtur flejnë mendimet e mia për ty”.
Në këtë volum poezishë të këtij autori vërehen dhe jetësohen edhe britma porosishë dhe zhgënjimesh në gjithë atmosferën jetuese dhe ëndërruese në situate të ndryshme, nëpër të cilat ka kaluar dhe kalon kolektivi ynë njerëzor. Ky përjetim shfaqet dhe trajtohet edhe si gjendje faktike jona, por edhe si krenari kërkuese, sidomos në poezinë “Pabesia”: / Shkoj rrugës / me shigjetën ngulur në shpinë/ Mos ma shkulni!/ Bota duhet ta njohë dorën/ që gjuan tinëz…/
Leximi i poezive në këtë libër të Tonin Nikollit, jo vetëm të mbërthen tematikisht edhe me ritëm të prajshëm porosishë vrojtuese, por dhe me “britma” të buta shpjegimesh reale të ca gjërave jetike, por të cilat vazhdojnë të flejnë në shtratin tonë të mendjes harrestare, edhe pse “Dallgët më çojnë larg/ në ujëra të trazuar”.
Vera Pelaj