A+ R A-
Analiza

Analiza

DOSJET E LETERSISE DHE ARTIT !

Roland Lushi

Realizmi socialist shqiptar është një zombi në thelb. I vdekur që ecën. Këngët, filmat, librat, artet figurative, arkitektura e shumëçka që përmbledh fjala art vazhdojnë të mbartin stereotipet e kësaj metode artistike dhe më keq akoma: rryme ideologjike.
Me rënien e diktaturës në vitin 1990 paradoksalisht përfitoi pikërisht ky art e kulturë e realizmit socialist, pasi parimisht një shoqëri pluraliste mbështetet mbi pranimin dhe jo përjashtimin! Asokohe kishim një investim gjigand 45 vjeçar përballë prirjeve sporadike të individëve ndaj rrymave të ndryshme. Kishim makinerinë e diktaturës së proletariatit, me institute, akademi, estetë, krijues, kritikë, inkuizitorë, literaturë, ideologji përballë poetëve, shkrimtarëve, muzikantëve që në një pjesë të madhe thjesht kishin dërshirën por jo talentin e përgatitjen përkatëse për të ndërtuar rryma e kultura alternative.
Nuk është qëllimi im të analizoj këtë përballje dhe pasojat e saj, por për shtruar një pyetje sa të thjeshtë aq edhe thelbësore: A duhet hapur AJO dosje?
Bëhet fjalë për dosjen e artit të realizmit socialist. Bëhet fjalë për krijuesit dhe për krijimtarinë. Për të dyja. Siç e përmenda, arti i realizmit socialist ishte një strukturë gjigande dhe solide, një nga investimet më të rëndësishme të diktaturës. Përmes tij bëhej shpëlarja e trurit të masave. Një pjesë e rëndësishme të kësaj strukture janë eminenca edhe sot, në demokraci. Japin mend e prodhojnë opinion, bëjnë politika e emërojnë apo shmangin emra nga jeta publike, duke vazhduar të mbajnë frenat e elitës shqiptare, duke promovuar apo eklipsuar artin e kulturën sipas interesave e standarteve të tyre.
Jo rrallë në publik janë përfolur agjentë të rekrutuar nga rradhët e shkrimtarëve e artistëve, janë denoncuar reçenca e raporte kundër veprave a artistëve. Janë botërisht të njohur artistë të dënuar me burg, internim, punë të detyruar, ndalim ushtrimi profesioni... Ishte e dhimbshme deklarata e Tefta Radit në varrimin e të shoqit, Françesk Radit kur me lot në sy tregoi se e kish dashuruar atëhere kur askush nuk i fliste me gojë....
Nëse lexon sot poezinë Saharaja të Vilson Blloshmit dhe nuk ke jetuar diktaturën, nuk ke shans të ta rrokë truri se si mundet të ekzekutohet një njeri për atë alegori! Ndërsa për ne, që e kemi jetuar atë inkuizicion, është e qartë si Dielli se Enveri ndoqi moton e Hitlerit “1 ditë terror – 1 vit qetësi”. Për ato motive u dënua festivali i XI, për ato motive u dënuan piktorë, dramaturgë, aktorë, këngëtarë, kompozitorë.
Kush i raportoi? Kush e mbajti “vijën e masave” dhe “partishmërinë” në art? Natyrisht kolegët. Një pjesë të aftë por shumica mediokër. Ata mbajtën standartin e larjes së trurit të masave, të pllakateve me kooperativistë, të këngëve revolucionare, të poezive me dashuri socialiste nëpër aksione, të heronjve të punës që gëlltisnin teserën e partisë para se të digjeshin vet nga zjarri që tesera mos të digjej! Shkurt, farkëtarët e “njeriut të ri”, një lloj Lej Feni europian.
Këta janë sot – për fat të keq – ku ishin.
Dhe tani e shtroj sërish pyetjen, në këtë optikë:
A DUHET HAPUR DOSJA E LETËRSISË SË REALIZMIT SOCIALIST?
Me këtë “dosje” kuptoj gjithë punëtorët dhe bashkëpunëtorët e regjimit në luftën e klasave në art e letërsi. Më tej, nënkuptoj nxjerrjen në dispozicion të publikut të gjithë reçencave, raporteve, mendimeve dhe kritikave letrare e artistike.
Një pjesë e mirë e çensorëve dhe inkuizitorëve të artit e kulturës së diktaturës dje, sot janë botues, drejtues institucionesh arti e kulture, sipërmarrës studiosh prodhimi kinematografike, muzikore, televizive. Poeti i burgosur dje , sot duhet të kalojë tek i njejti redaktor i Shtëpisë Botuese të Enverit dikur që sot ka shtëpinë e tij botuese private. Kjo klasë sot vazhdon bën juritë e festivaleve, juritë e konkurseve letrare e artistike. Shkurt : SOT KJO KLASË BËN LIGJIN , duke ruajtur vetveten dhe standartet e dikurshme, për të riprodhuar vetveten.
Pra pa dashur unë të jap një përgjigje shterruese, sepse nuk më takon, këmbëngul: A DUHET HAPUR?
Qëllimi kryesor është për të kuptuar. Pra gjithë mekanizmin, që nga ideologjia tek institucionet e deri tek individët. Më tej, hapja e rrugës për një art e kulturë autentike shqiptare. Sot të neveritet vetja kur dëgjon një pjesë të mirë të muzikës që qarkullon nëpër Shqipëri, për shkak të standartit të ulët të kërkesave artistike dhe nivelit nën mediokër të vargut. Poezia në shumicën e rasteve është nën nivelin e bejteve ndërsa proza është larg çdo metodologjie e rryme. Këto pocaqi botohen paradoksalisht nga çensorët e dikurshëm. Ata që s’lejonin të kalonte asnjë “shfaqje e huaj” sot botojnë çdo lëtyrë, duke shkatërruar qëllimisht vlerat e duke e kthyer artin dhe kulturën e këtij vendi në një tabula rasa.
Nëse nuk do të qe kjo shpëlarje e trurit (pas larjes 45 vjeçare), nuk do të kish guxim një kryetar bashkie të hidhte beton mbi rrënojat e lashtësisë, nuk të ndaheshin çmime letrare nga biznesmenë patatinash e çmime muzike nga masovikë vatrash kulture. Politika në art solli realizmin socialist si propagandë dhe kjo armatë kameleonësh ndërroi teritalin me xhins dhe prodhoi komecializmin si të vetmen vlerë artistike.
Përderisa unë e shtroj këtë pyetjen e dosjeve në art, e kam edhe një përgjigje: PO! Të hapen një orë e më parë! E vërteta të çliron – thotë Ungjilli. Ka nevojë letërsia dhe arti shqiptar të çlirohet si fillim, për t’u ringritur më pas, pa inkuizitorët, çensorët dhe spiunët nëpër këmbë.
Por sidoqoftë, kjo është pyetja ime por beteja ime. Është çështje më shumë se e të shkuarës, e së ardhmes, ndaj do të ndjehesha i lumtur nëse ky debat bëhet i gjerë dhe i thellë mes gjithë komunitetit të artit dhe kulturës shqiptare. Të rinjve dhe të vjetërve njëkohësisht...